Një këngë e vjetër popullore flet për një
vajzë që pasi kish humbur gjithë ditën tek shtëpia e një djali, kthehet në shtëpi
dhe pyet të ëmën “Ta marr (për burrë) moj nëne? Ta marr, (apo) mos ta marr?”
Një shekull më parë vajza thjesht
nuk do kishte mundësinë ta bënte këtë pyetje, pasi vendimi merrej nga prindërit.
Këta të fundit vendosnin t’i martonin fëmijët nisur nga faktorë ekonomik dhe
social. Në një familje patriarkale martesa shërbente për të sjellë në shtëpi një
krahë pune (nuse), por edhe për të lindur trashëgimtarët e pasurisë. Në kohëra të tilla jetonin dhëndrat 14-vjeçarë
të Çajupit, dhe Marigotë e tyre të bukura dhe (veçanërisht) punëtore.